Konferenca “Drejtësia, Siguria dhe të Drejtat e Njeriut” te “Luarasi”, ekspertët nga rajoni dhe BE diskutojnë sfidat ligjore, Ruka: Fakulteti ynë i Drejtësisë, ndër më të mirët
Universiteti “Luarasi” organizoi këtë javë Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Drejtësia, Siguria dhe të Drejtat e Njeriut”, një ngjarje që përfshiu 17 universitete, nga të cilat 7-8 nga Shqipëria dhe pjesa tjetër nga rajoni dhe Bashkimi Evropian.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit Luarasi, Prof. Dr. Et’hem Ruka, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e universiteteve në përforcimin e dialogut akademik mbi drejtësinë dhe të drejtat themelore. “Kur bëhemi bashkë, fuqia jonë shkencore dhe debati mund të nxjerrë produkte më të mira”, u shpreh Ruka, duke nënvizuar misionin e universiteteve për të organizuar konferenca të tilla.
Kjo është konferenca e dytë ndërkombëtare e Luarasit, pas asaj me fokus ekonominë dhe sfidat e saj. Këtë radhë, vëmendja u përqendrua te drejtësia, një nga çështjet më të artikuluara në tranzicionin shqiptar, sipas Rukës. “Pa drejtësi nuk ka shtet, nuk ka barazi para ligjit. Problemet janë reale, por ajo që kemi arritur është një produkt që na bën krenarë,” tha ai.
Ai vlerësoi nivelin e lartë të Fakultetit të Drejtësisë në Luarasi, duke e cilësuar si një nga më të mirët në vend: “Produktet e këtij fakulteti janë të matshme – nga pranimi i studentëve në sistemin gjyqësor deri te fitoret në konkurse ndërkombëtare.”
Në fund të fjalës së tij, Ruka falënderoi Presidentin e grupit mbështetës, Irfan Hysenbelliu, për mbështetjen e dhënë në organizimin e kësaj konference, e cila sipas tij “bashkoi institucione të rëndësishme dhe e bëri të veçantë këtë ngjarje akademike.”
Konferenca shënon një tjetër hap të rëndësishëm në përpjekjet e Luarasit për të qenë një qendër serioze studimi dhe dialogu mbi çështjet më thelbësore për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare.