Sezon perfekt i Egnatia, trofe dhe miliona – Balkanweb.com – News24
Egnatia përsërit historinë, thyen një tabu prej afro një dekade, si ekipi i parë pas Skënderbeut që arrin të mbrojë titullin kampion. Ekipi i Tetovës triumfoi me spektakël përballë Vllaznisë në finalen e madhe të zhvilluar në “Arenën Kombëtare”. Rrogozhinasit nuk e diskutuan për asnjë moment këtë finale duke dominuar me lojë dhe rezultat. Fitorja e pastër 4-0, fitorja me “poker” golash, kurorëzon një sezon perfekt.
Pasi kryesuan sezonin e rregull duke dominuar për 36 javë, Egnatia triumfoi edhe në “Final4”. Ky ishte titulli i dytë për ekipin e Egnatias, një titull që i rezervon minimalisht 1 milionë euro të ardhura. Për Vllazninë titulli mbetet sërish një mallkim, një tabu shumë e madhe të cilën nuk po arrijnë ta thyejnë prej më shumë se dy dekadash, titulli mbetet sërish një ëndërr. Ekipi i Brdaric mbyll një sezon me zero trofe, por mund të ngushëllohet vetëm më prezencën në Conferece League.
Në “Arenën Kombëtare”, Egnatia gjeti shpejt golin e avantazhit që në minutën e 6-të me Regi Lushkjan. Mesfushori vërtetoi edhe një herë impaktin e tij shumë të madh këtë sezon pasi me fillimin e pjesës së dytë, Lushkja dyshoi shifrat. Me Vllazninë të hedhur përpara, me dëshirën për t’u rikthyer në lojë, Egnatia i kapi “mat” kuqeblutë edhe më dy zbritje të shpejta në sulm, ku Leo Melo dhe Ujka realizuan edhe dy herë të tjera në fund duke hipotekuar titullin e dytë në histori. Festa ishte e madhe për rrogozhinasit që prej vitesh janë kthyer në një ekip model, në një realitet shumë të bukur të futbollit shqiptar.

“Egnatia e artë. Rrogozhinasit mundin Vllazninë dhe janë kampionët e 86-të të Shqipërisë”, shkruan Panorama Sport, gazeta më e madhe sportive në vend.
()