Mungesa dhe të harruar, shumë emra të njohur mbetën jashtë listës së Silvinjos për duelet që vendosin fatin e Shqipërisë
Ndeshjet e muajit qershor në kualifikueset e Botërorit 2026 për Shqipërinë janë shumë delikate. Sfida ndaj Serbinë në shtëpi dhe ajo me Letoni në transfertë mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë pozicionin në këto kualifikuese dhe ëndrrën për të shkuar në Botëror. Ndaj edhe trajneri SIlvinjo nuk ka luksin që të bëjë zgjedhje të gabuara në këto momente.
Tekniku brazilian gjithsesi, ka vendosur që të lërë jashtë emra të njohur për Kombëtaren shqiptare në listën me 27 emra të grumbulluar. Enea Mihaj, Taulant Seferi, Arbnor Muja, Indrit Tuci dhe Federik Veseli janë emra të cilët kanë qenë rregullisht pjesë e Kombëtares dhe ndonëse kanë luajtur rregullisht në muajt e fundit me klubet përkatëse, nuk janë preferuar nga trajneri brazilian.
Por nëse këta lojtarë mund të cilësohen zgjedhje teknike të trajnerit, një mini-listë tjetër përmban ata të cilët janë futbollistë me të cilët trajneri ka dukshëm probleme në përzgjedhje e tyre pasi për një arsye apo një tjetër i injoron edhe pse në vitin e fundit kanë luajtur rregullisht dhe kanë qenë shpesh protagonistë në klubet përkatëse. Një emër në listë është padyshim Lindon Selahi, i cili ishte një nga emrat kryesorë të titullit kampion të Rijëkës në Kroaci.
Më pas vjen Kristian Shpendi, një sulmues i cili ka bërë bujë në Serinë B duke shënuar rregullisht me Çezenën, apo Anis Mehmeti me Bristolin të cilin e shtyu deri në play-off për ngjitjen në Premier Ligë. Edhe këta janë dy emra të tjerë të cilët injorohen vazhdimisht nga tekniku i kuqezinjve i cili gjithmonë argumenton se nuk është koha e duhur për ta. Ashtu mund të thuhet edhe për Arda Kurtulan, i cili ka luajtur rregullisht në Superligën turke me Adanan. Të gjithë emra që mund të ishin alternativa cilësore për titullarët kuqezi, për të mos thënë rivalë për një vend në formacion, por që për trajnerin nuk janë në lartësinë e duhur për të veshur ngjyrat kuqezi.