Tue, Apr 14, 2026

Si do të ndikonte Mbretëresha Elizabeth në krizën mes dy vëllezërve mbretërorë?

Si do të ndikonte Mbretëresha Elizabeth në krizën mes dy vëllezërve mbretërorë?
  • PublishedApril 14, 2026

Familja mbretërore britanike vazhdon të ndjejë mungesën e matriarkes së saj, Mbretëreshës Elizabeth II, e cila ndërroi jetë më 8 shtator 2022, pak muaj para se të mbushte 100 vjeç në fund të prillit.

Në një artikull të ri të revistës PEOPLE, burime pranë pallatit mbretëror flasin për përçarjen e vazhdueshme prej rreth gjashtë vitesh mes Princit Harry dhe Princit William, duke theksuar se Mbretëresha, nëse do të ishte ende gjallë, do të kishte luajtur një rol bashkues në prapaskenë.

“Sado që ata të kishin mendime të ndryshme, ajo nuk mbante anë. Ajo e shihte familjen si të ndërlikuar, por gjithmonë familje,” ka thënë një burim pranë pallatit.

Ailsa Anderson, ish-sekretare e shtypit e Mbretëreshës, thekson se pajtimi mes dy vëllezërve mund të ndodhë vetëm nëse ata e bëjnë vetë hapin e parë: “Ajo mund të kishte qenë një urë lidhëse, por është diçka që duhet ta zgjidhin vetë.”

Sipas burimeve, kohët e fundit janë vërejtur përpjekje të lehta për përmirësimin e marrëdhënieve mes Princit Harry dhe Mbretit Charles III, të cilët thuhet se kanë rifilluar komunikimin pas një takimi në shtator 2025.

Princi Harry, 41 vjeç, dhe Princi William, 43 vjeç, kanë një marrëdhënie të tensionuar prej vitesh. Sipas raportimeve, krisja mes tyre nisi rreth vitit 2016, kur William shprehu shqetësime për marrëdhënien e shpejtë të Harry-t me Meghan Markle. Në kujtimet e tij Spare, Harry ka përshkruar marrëdhënien e ndërlikuar me vëllain e tij, duke e quajtur atë si “vëllai i dashur dhe armiku i përbetuar”, si dhe duke folur për konflikte verbale dhe fizike mes tyre.

Tensionet u thelluan më tej pas largimit të Harry-t dhe Meghan Markle në SHBA në vitin 2020, si dhe pas intervistave të bujshme, dokumentarëve dhe librit të Harry-t të botuar në vitin 2023, ku ata ndanë publikisht pakënaqësitë e tyre ndaj familjes mbretërore.

Sipas një libri të ri nga Russell Myers, William ka qenë shumë i zemëruar nga situata, duke e ndjerë veten të tradhtuar dhe duke refuzuar në mënyrë të prerë çdo afrim me të vëllain.

Megjithatë, thuhet se Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka luajtur rol qetësues në këtë situatë, duke e ndihmuar William-in të ruajë qetësinë dhe të fokusohet te familja.

Edhe pse problemet brenda familjes mbretërore vazhdojnë, burime pranë saj theksojnë se këto sfida nuk pritet të jenë fatale për institucionin monarkik, i cili sipas tyre ka kaluar edhe kriza më të rënda në histori.