Mon, Nov 23, 2026

​“Nga vizioni në veprim”: Tirana mirëpriti Samitin e Dytë të Turizmit Mjekësor, Shqipëria destinacion rajonal, mijëra të huaj vijnë për shërbime mjekësore

​“Nga vizioni në veprim”: Tirana mirëpriti Samitin e Dytë të Turizmit Mjekësor, Shqipëria destinacion rajonal, mijëra të huaj vijnë për shërbime mjekësore
  • PublishedNovember 23, 2026
Samiti i Dytë i Turizmit Mjekësor në Tiranë, Osmani: Eventi që po e kthen Shqipërinë në destinacion të turizmit shëndetësor

*****
Samiti i Dytë i Turizmit Mjekësor u zhvillua më 21 nëntor në Tiranë, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve publike, drejtues klinikash, mjekë dhe ekspertë ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimin e Shqipërisë si një destinacion rajonal për shërbimet shëndetësore.

Nën moton “Nga vizioni në veprim”, samiti, i organizuar nga Shoqata Shqiptare e Turizmit Mjekësor (AMTA) në Tirana Marriott Hotel, vuri në fokus rritjen e kësaj industrie, standardet e sigurisë së pacientëve, akreditimin ndërkombëtar të klinikave dhe përmirësimin e kuadrit ligjor.

Sipas të dhënave të prezantuara gjatë aktivitetit, mbi 60 mijë shtetas të huaj zgjedhin çdo vit Shqipërinë për shërbime dentare, ndërsa në vend operojnë më shumë se 1 mijë klinika aktive. Këto shifra dëshmojnë potencialin e turizmit mjekësor, një sektor që po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në ekonominë dhe ofertën turistike të vendit.

Në aktivitet morën pjesë ekspertë dhe përfaqësues nga Italia, Gjermania, Izraeli, Serbia, Kroacia, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera.

Qëllimi kryesor i samitit ishte kalimi nga promovimi i Shqipërisë si destinacion i turizmit mjekësor drejt krijimit të mekanizmave konkretë që garantojnë cilësinë e shërbimeve dhe rrisin besueshmërinë e pacientëve ndërkombëtarë.

Institucionet dhe ekspertët kërkojnë standarde të përbashkëta

Punimet e samitit u çelën me fjalët përshëndetëse të zëvendësministres së Turizmit, Marinela Prifti, presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, si dhe drejtueses së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Rudina Degjoni.

Në fjalën e tij, presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, theksoi rëndësinë e ndërthurjes së shëndetit, sportit dhe turizmit, si pjesë e një koncepti më të gjerë për përmirësimin e cilësisë së jetës.

“Shëndeti është pasuria më e madhe e njeriut, ndërsa sporti është një nga investimet më të mira që mund bëjmë për ta ruajtur këtë pasuri. Për shumë vite, kur flisnim për shëndetin, mendonim kryesisht për spitalet, për mjekët, për trajtimin e sëmundjeve. Por sot bota po ndryshon me ritme të shpejta. Njerëzit nuk kërkojnë vetëm të jetojnë më gjatë. Ata kërkojnë të jetojnë më mirë, të jenë aktiv, të ruajnë energjinë, pavarësinë dhe mbi të gjitha cilësinë e jetës. Dhe pikërisht këtu bashkohen tre fusha që në pamje të parë mund të duken të ndryshme mjekësia, sporti dhe turizmi”, u shpreh Ylli.

Në samit morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencisë Kombëtare të Turizmit, strukturave të akreditimit dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte nevoja për një kuadër ligjor të harmonizuar, që të përcaktojë standarde të qarta për ofrimin e shërbimeve mjekësore ndaj pacientëve vendas dhe të huaj.

Në panelin e moderuar nga Ivan Rendulić, përfaqësues i European Health and Medical Tourism Association, morën pjesë Ilir Llazorja nga Pharmalife, eksperti ligjor Gedeon Dudushi, Ulpiana Lama dhe Arbenita Pajaziti, përfaqësuese e Divizionit për Cilësi, Siguri dhe Akreditim në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës.  Diskutimet u përqendruan te forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, rregullimi i tregut dhe garantimi i sigurisë së pacientëve.

Akreditimi ndërkombëtar, sfida për klinikat shqiptare

Një vëmendje e veçantë iu kushtua akreditimit ndërkombëtar të institucioneve shëndetësore, i konsideruar një element i rëndësishëm për rritjen e besimit të pacientëve të huaj. Dr. Claudia Mika, drejtuese ekzekutive e organizatës gjermane TEMOS Accreditation, prezantoi përvojën ndërkombëtare në certifikimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve mjekësore.

Sipas diskutimeve në këtë panel, përmbushja e standardeve ndërkombëtare mund të ndikojë në forcimin e pozicionit të klinikave shqiptare në tregun evropian të turizmit mjekësor.

Një tjetër çështje e trajtuar ishte mbrojtja e të dhënave personale të pacientëve. Ekspertja Desara Avdulaj u ndal te rëndësia e zbatimit të standardeve të GDPR-së në administrimin dhe ruajtjen e dosjeve mjekësore, veçanërisht për pacientët që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Nga turizmi dentar te jetëgjatësia dhe shëndeti parandalues

Përveç shërbimeve dentare dhe estetike, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kërkesës nga pacientët e huaj, samiti trajtoi edhe mundësitë e zhvillimit të shërbimeve të reja shëndetësore.

Në fokus ishte koncepti i jetëgjatësisë (Longevity), i cili përfshin shëndetin parandalues, mirëqenien dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

Prof. Dr. Ramazan Isufi, Dr. Besim Hajdari, Merfa Aliaj nga Poliklinika Universitare Barleti dhe Dr. Jasmina Knežević nga Bel Medic diskutuan mbi inovacionin në mjekësi, zhvillimin e sipërmarrjes private dhe mundësitë e integrimit të shërbimeve shëndetësore me aktivitetet sportive dhe turistike.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm ishte krijimi i paketave të integruara, ku pacientëve ndërkombëtarë t’u ofrohen jo vetëm trajtime mjekësore, por edhe shërbime akomodimi, transporti dhe mikpritjeje.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe roli i medias dhe transformimit digjital në promovimin e Shqipërisë si një destinacion i besueshëm për turizmin mjekësor.

AMTA: Nga promovimi te zgjidhjet konkrete

Samiti u zhvillua përmes pesë sesioneve tematike, një hapësire ekspozuese (Expo) dhe takimeve të drejtpërdrejta B2B mes klinikave, operatorëve turistikë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Organizatoret e aktivitetit, Katerina Osmani, presidente e AMTA-s, dhe Merita Osmani, CEO, e vlerësuan edicionin e dytë si një mundësi për të kaluar nga diskutimet e përgjithshme te zgjidhjet konkrete për zhvillimin e sektorit.

Sipas tyre, prioritet mbeten akreditimi ndërkombëtar i klinikave, harmonizimi i kuadrit ligjor, siguria e pacientëve, mbrojtja e të dhënave personale dhe krijimi i paketave të integruara shëndetësore e turistike. “Motoja ‘Nga vizioni në veprim’ nuk ishte e rastësishme. Synimi ynë këtë vit ishte të kalonim nga promovimi te zgjidhjet konkrete: akreditimi ndërkombëtar i klinikave, siguria e pacientit dhe krijimi i paketave të integruara që e bëjnë Shqipërinë të besueshme në tregun evropian.

Ky samit dëshmoi se kur institucionet publike, klinikat dhe operatorët turistikë ulen në një tryezë, zgjidhjet bëhen të prekshme. Me standardizimin e shërbimeve dhe rritjen e cilësisë, Shqipëria po kthehet në një destinacion shëndetësor konkurrues gjatë gjithë vitit dhe po njihet si një pol i rëndësishëm i turizmit mjekësor në rajon”, deklaruan ato.

Synimi, Shqipëria si destinacion rajonal i turizmit mjekësor

Shoqata Shqiptare e Turizmit Mjekësor (AMTA) synon të promovojë Shqipërinë në tregjet ndërkombëtare për shërbimet mjekësore, dentare, estetike dhe të mirëqenies.

Përmes bashkëpunimit me klinikat, agjencitë turistike dhe institucionet publike, organizata punon për përmirësimin e standardeve të shërbimit dhe krijimin e një oferte më konkurruese për pacientët ndërkombëtarë.  Edicioni i dytë i Samitit të Turizmit Mjekësor e vendosi theksin te nevoja për të shoqëruar rritjen e sektorit me standarde të matshme cilësie, mbikëqyrje dhe garanci për pacientët.

Në këtë mënyrë, Shqipëria synon të forcojë pozicionin e saj si një destinacion rajonal i turizmit mjekësor, duke e kthyer këtë sektor në një mundësi për zhvillimin e shërbimeve shëndetësore dhe të ekonomisë turistike gjatë gjithë vitit.