Wed, Jan 21, 2026

A mund të indinjohesh për privatësinë, kur ke zgjedhur të jetosh para kamerave?

A mund të indinjohesh për privatësinë, kur ke zgjedhur të jetosh para kamerave?
  • PublishedJanuary 21, 2026

Debati i hapur së fundmi në Big Brother VIP Albania na rikthen te një pyetje që shoqëria shqiptare e shmang shpesh, por që në fakt është thelbësore. Ku mbaron privatësia dhe ku fillon përgjegjësia e të qenit person publik?

Në momentin që familja e Brikenës reagoi duke kërkuar respektimin e privatësisë, u krijua një kontrast i fortë. Nuk po flasim për një person anonim. Po flasim për të njëjtën vajzë që ka fituar Miss Kosova dhe ka përfaqësuar Kosovën në skena ndërkombëtare, duke e ndërtuar vetë identitetin e saj publik përmes ekspozimit, imazhit dhe vëmendjes mediatike. Ky është fakt.

Pyetja lind natyrshëm. A mund të kërkosh privatësi absolute, kur ke zgjedhur vetë rrugë që të bëjnë figurë publike? Kur merr pjesë në konkurse bukurie, kur ndërton profil publik, kur futesh në një format televiziv që jeton nga rrëfimet personale, emocionet dhe historitë intime, a nuk është kjo një marrëveshje e heshtur me publikun?

Sigurisht që çdo njeri ka të drejtë të ketë kufij. Askush nuk justifikon dhunën, presionin apo shkeljen e dinjitetit. Por privatësia nuk mund të jetë selektive. Nuk mund të jetë e hapur kur të sjell famë dhe e mbyllur kur rrëfimi nuk të shërben më. Nuk mund të kërkosh duartrokitje për ekspozimin dhe indinjatë për pasojat e tij.

Këtu hyn edhe familja, që shpesh përpiqet ta mbrojë figurën, por pa dashje forcon një kontradiktë të madhe shoqërore. Nga njëra anë krenari për suksesin publik, nga ana tjetër frikë nga çmimi i ekspozimit. Kjo lëkundje mes modernes dhe patriarkales tregon se ende nuk e kemi zgjidhur raportin tonë me lirinë individuale.

Nëse privatësia është një vijë e panegociueshme, atëherë ndoshta duhen rimenduar edhe zgjedhjet që të vendosin nën dritën e vazhdueshme të kamerave. Sepse fama nuk është vetëm privilegj. Është edhe përgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, është një zgjedhje.