Wed, Jan 21, 2026

A kemi dalë nga patriarkaliteti, apo vetëm e kemi maskuar?

A kemi dalë nga patriarkaliteti, apo vetëm e kemi maskuar?
  • PublishedJanuary 21, 2026

Historia Brikena-Mateo në Big Brother VIP Albania na vuri përballë një dileme më të thellë, që shoqëria shqiptare e shtyn prej vitesh. A kemi ndryshuar vërtet, apo vetëm kemi ndërruar gjuhën me të cilën ushtrojmë të njëjtin kontroll?

Mateo rrëfeu diçka që për shumë njerëz nuk tingëllon aspak e huaj. Ndërhyrje direkte nga familjarë, ndalim takimesh, thirrje në telefon, presion moral dhe një ndjenjë përgjegjësie që i vihet një të riu mbi supe, sikur një njohje e sapofilluar të ishte tashmë një çështje nderi. Ai foli për frikën, për ndjesinë se situata po shkonte drejt një fejesë apo martese pa qenë gati, thjesht që “të mos dalë nami”. Ky është një skenar që Shqipëria e njeh mirë, sepse e ka jetuar gjatë.

Për dekada me radhë, sidomos për vajzat, jeta personale nuk ka qenë kurrë vetëm personale. Ka qenë çështje familjeje, fisi, lagjeje. Çdo hap shihej, çdo afrim peshohej, çdo zgjedhje duhej justifikuar. Sot pretendojmë se kemi dalë nga ajo kohë, por raste si ky tregojnë se shumë nga mekanizmat janë ende aty, në çdo vend ku ka Shqiptarë. Ndoshta jo më me të njëjtën ashpërsi, por me të njëjtën logjikë.

Ajo që ka ndryshuar është forma. Patriarkaliteti nuk vjen më gjithmonë si urdhër i hapur. Shpesh vjen i veshur si mbrojtje, si kujdes, si frikë për imazhin. Vjen edhe në familje që duken moderne, në provinca, në qytete të vogla e të mëdha, madje edhe në ambiente publike dhe televizive. Dhe paradoksi është se sa më publike të jetë figura, aq më i fortë bëhet ankthi për kontrollin e saj.

Në këtë kuptim, reagimi për privatësinë, ndërkohë që jeta dhe imazhi janë ndërtuar në hapësirë publike, nxjerr në pah një tjetër kontradiktë. Duam lirinë e ekspozimit, por jo pasojat e saj. Duam modernitetin, por pa cenuar strukturat e vjetra që na japin ndjesi sigurie. Duam të dukemi të emancipuar, por reagojmë me të njëjtat reflekse si dikur.

A kemi dalë realisht nga patriarkaliteti, apo thjesht e kemi bërë më të pranueshëm, më të butë, më të fshehur? Dhe nëse ende shfaqet kaq qartë në marrëdhënie, në familje dhe në ekran, ndoshta nuk kemi ndryshuar aq sa na pëlqen të besojmë…