Wed, May 27, 2026

Kur sheshi zgjohet si tempull: hierotopia e namazit në Tiranë dhe nevoja për rikthimin e namazgjasë

Kur sheshi zgjohet si tempull: hierotopia e namazit në Tiranë dhe nevoja për rikthimin e namazgjasë
  • PublishedMay 27, 2026
Imazhi: Falja në namazgjanë e Tiranës, 1925. AQSH i RSH, Fototeka, B-XVI-3-D-3486.

Çdo vit, dy herë në vit, në rrjetet sociale dhe më pak në media, sa herë besimtarët myslimanë kryejnë faljen e namazit të Fitr Bajramit (Eid al-Fitr) e Kurban Bajramit (Eid al-Adha) në sheshin “Skënderbej” në Tiranë (apo dhe gjetiu), shfaqen debate që shkëmbehen mes dy kampeve imagjinare ose reale. Që kur rrjetet sociale u populluan masivisht edhe prej shqiptarëve, pas çdo feste të tillë filluan të shfaqen komente apo diskutime që nuk ngjajnë se kultivojnë bashkëjetesën fetare, me të cilën krenohemi. Sikundër ndodh në çdo grup amorf, edhe popullata virtuale nuk i shpëton dot binaritetit “ne” këtej, “ata” andej. Si rrjedhojë, një grup komentuesish artikulohen kundër përdorimit të sheshit “Skënderbej” si vend lutjeje, e një grup tjetër shprehen pro këtij përdorimi, duke përgëzuar besimtarët që shtohen çdo vit. Ca kohë më parë, kur sheshi “Skënderbej” kalonte rindërtimet e njëpasnjëshme, këto lutje kryheshin në një pjesë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, shoqëruar nga po të njëjtat komente. Në ndonjë rast ky debat është shpërngulur edhe në studio televizive, prej nga ku ka triumfuar binariteti, jo arsyeja. Ndaj, duke vrarë mendjen këtyre javëve mes Fitr Bajramit dhe Kurban Bajramit të vitit 2026, shkruam këto radhë.

Kur bibliografia tradicionale studion dhe analizon praktikat rituale të religjionit, këto përshkruhen zakonisht si ngjarje që ndodhin brenda një perimetri të caktuar arkitekturor, pra brenda tempujve përkatës, në të cilët zhvillohet adhurimi. Në këtë rast, rituali, adhurimi dhe përmasa arkitekturore ndërveprojnë me njëra-tjetrën, dhe rituali përcakton funksionet e ndërtesës, kurse ndërtesa duhet të përmbushë nevojat e ritualit. Mirëpo, ekziston edhe një përmasë tjetër ritualesh, e cila nuk zhvillohet brenda tempujve përkatës, por jashtë tyre. Atëherë kur kjo përmasë është dytësore dhe kalimtare, mbetet thjesht një rrugë kalimi për procesionet dhe ritualet. Ndërkaq, ekzistojnë dhe çaste të tjera, të krijuara prej nevojave të komuniteteve, kur rituali nuk i lë pa emërtuar dhe përcaktuar edhe ato mjedise jashtë tempullit.

Për të kuptuar realitetin, duhet të shpërngulemi pak pas në kohë e të kujtojmë se veç mjediseve të mbyllura të dedikuara për lutje, në traditën islame ekzistojnë edhe hapësira të tjera lutjeje të cilat nuk qarkohen nga elementet arkitekturorë të tempullit islam. Këto janë mjedise që ndodhen në sheshe të qyteteve (mejdan), sheshe kushtuar vetëm lutjeve (musalla dhe namazgja) [The Encyclopaedia of Islam, 2nd edition, vol. VII, Leiden, Brill, 2008], hapësira çlodhjeje (mesire), vendpushime (menzil), dhe që, mes funksioneve të tjera, janë dhe vend për faljet e Fitr Bajramit, Kurban Bajramit apo të namazit të së premtes. Pavarësisht se në tradita të vendeve të ndryshme musalla dhe namazgja përmbushin të njëjtat funksione, kanë trashëguar emërtesa të ndryshme për shkak të vendit ku ndodhen, jo për shkak të funksionit. Në rastin e Shqipërisë ka mbizotëruar sheshi i lutjeve i emërtuar namazgja. Në Seyhatname-në (Libri i udhëtimeve) e tij, Elvija Çelebiu nuk harron t’i përshkruajë këto objekte, kudo që i ka parë. Për shembull, kur kaloi nëpër Elbasan më 1662, Çelebiu na përmend namazgjanë e qytetit me 57 selvi që qëndronin qark tij. Në raste të tjera sheshet e namazgjasë ose kanë ndryshuar destinacion, si pasojë e urbanizimit, ose sheshet e namazgjasë janë përdorur për të ndërtuar në to xhamitë që edhe më pas ruajnë emërtesën “namazgja” në emrin e tyre. Rasti më i vonë është Xhamia e Namazgjasë në Tiranë.

Kësisoj, kur vijmë tek debati që përmendim në fillim të shkrimit, vetvetiu i kemi dhënë përgjigje dhe pyetjes se çfarë ndodh në sheshin “Skënderbej”: sheshi mbulon nevojat e komunitetit mysliman për t’u falur, sipas traditës, të gjithë bashkë, e jo në xhami të veçuara. Tradita e së shkuarës dëften se falja e festave të rëndësishme, Fitr Bajrami dhe Kurban Bajrami nga të gjithë besimtarët mbledhur në një shesh, është traditë po aq e vjetër sa dhe islami në Ballkan, nuk është aspak dukuri e re dhe nuk përbën traditë thjesht vendore. Ajo që duhet diskutuar, në këtë rast, nuk është a duhet të ndodhë kjo në sheshin “Skënderbej” dhe a po cenon pjesën tjetër të qytetarëve, pasi kjo ngjarje tashmë është fakt dhe nuk ka si shmanget, por si mund të zgjidhet nevoja e besimtarëve për hapësirën e përhershme të lutjeve. Në të shkuarën perandorake këtë problem e zgjidhte komuniteti, në të tashmen duhet ta zgjidhë komuniteti bashkë me autoritetet e pushtetit vendor, pasi çështja lidhet me një numër të madh të banorëve të kryeqytetit. A është e pavend të përfytyrojmë një shesh namazgjaje në Tiranë? Do të ishte element i dobishëm urbanistik dhe hapësirë e rëndësishme sociale në kryeqytetin që, tashmë, ka humbur identitetin e vet.

Duke shkuar më tej, rasti lejon mundësinë për të bërë edhe një analizë pak më të specializuar lidhur me përdorimin e shesheve publike si vende lutjeje. Ceremonia fetare, rituali dhe lutja janë ngjarje krejtësisht të ndryshme nga e zakonta dhe e rastësishmja, si dhe kanë ngarkesë të përveçme shpirtërore, duke u konsideruar si ngjarje të shenjta. Kësisoj, vendet e lutjes, kur nuk kanë dhe atribute të tjera (vend mrekullie apo ku ka ndodhur një ngjarje e rëndësishme për besimtarët), janë vende të shenjta. Pavarësisht nëse vendi i lutjes përcaktohet nga forma arkitekturore, nga mure rrethuese dhe ndërtesa, shenjtëria e ngjarjes cakton kufijtë e përfytyruar në vendin ku ndodh. Ilustrimi fizik i kësaj janë qilimat e lutjes që vendosen në sheshin “Skënderbej”, apo kudo tjetër, në funksion të lutjes. Ndryshimi radikal i funksioneve të sheshit dhe zhveshja e tij nga çdo funksion tjetër, ndonëse për një kohë të shkurtër, ndryshon statusin e sheshit. Kjo, më shumë se rëndësi faktike, ka rëndësi simbolike, teksa bëhet fjalë për një hapësirë të përbashkët. Është e vërtetë se i njëjti shesh përdoret dhe shënjohet, sipas rastit, edhe nga ngjarje të tjera, zakonisht koncerte apo kioskat e panaireve. Mirëpo krahasimi nuk është aspak i goditur, sepse koncertet dhe mejhanet ambulante nuk mund të përdoren si argument justifikues, pasi përmbajtja e dy veprimeve dhe funksioni i ndryshuar i sheshit nuk është i njëjtë.

Pavarësisht se në jetën e përditshme të sheshit “Skënderbej” nuk shohim asnjë shenjë të përdorimit të tij si vend lutjeje, veçse në datat e caktuara, shënjimi i tij mbetet në fuqi. Nëse analizojmë rastin sipas teorisë së hierotopisë të Alexei Lidov [Alexei Lidov: “Hierotopy. The creation of sacred spaces as a form of creativity and subject of cultural history.” Në: Hierotopy. Creation of Sacred Spaces in Byzantium and Medieval Russia. Edited by A. Lidov, Progress-tradition, Moskë, 2006, fq. 32-58], tempulli apo vendi i shenjtë janë të tilla jo vetëm për shkak të mënyrës me të cilën janë ndërtuar e dekoruar (format arkitekturore, objektet e vendosura brenda, dekori i lëvizshëm apo i palëvizshëm, etj.), por për shkak të veprimtarisë së lutjes në të. Vendi i shenjtë duhet të përmbushë kushtin e spacializimit të fjalës hyjnore përmes procesit arkitekturor, ndjesor dhe ritualistik. Tempulli apo vendi bëhet i shenjtë jo kur është i mbyllur dhe nuk përdoret (fjala vjen, gjatë natës), po kur përdoret për lutje. Kësisoj, vendi i shenjtë mbetet i fjetur për sa kohë në të nuk lutet kush, por rifiton simbolikën e tij sapo besimtarët mblidhen dhe veprojnë në unison.

Natyrisht, aplikimi i teorive si hierotopia rrezikon të lërë mbresën e një reduktimi estetik të ritualit, duke shpërfillur ontologjnë islame, ku hapësira nuk “krijohet” nga njeriu, por është, në parim, e shenjtë, nën parimin e konsiderimit të gjithë tokës si xhami. Megjithatë, syri i vëzhguesit të jashtëm brenda një realiteti shoqëror laik nuk mund të shpërfillë dinamikën urbane pikërisht në emër të bashkëjetesës dhe të demokracisë së opinioneve.

cunga2cunga2
Njoftimi i Spring Festival për shtyrjen e festivalit, prill 2022.

Një tjetër çështje është vizibiliteti publik. Nëse do të quanim krejt të natyrshme që, ashtu si shumë veprimtari të tjera ndodhin në sheshin qendror të kryeqytetit, edhe falja e Fitr Bajramit dhe e Kurban Bajramit duhet të ndodhë atje, asgjë dhe askush nuk duhet ta pengojë këtë zgjedhje. Mirëpo, të mos harrojmë pakëz traditën. Sheshet e namazgjave, vendet e caktuara enkas për faljen e këtyre festave në ato vendbanime ku falja kryhet në një vend, nuk kanë qenë organizuar në pazar, që ishte qendra e qytetit osman, por diku në periferi të qytetit, në raste të tjera diku jashtë portave të qytetit. Arsyeja është e thjeshtë: qyteti osman nuk parashikon sheshe brenda mëhallave, hapësirat e lira ndodhen në periferi të tyre, pavarësisht sa i madh ishte vendbanimi, ose jashtë mureve, nëse kishim vendbanim të fortifikuar. Sërish, për t’iu kthyer asaj që themi më sipër, zgjidhja që ndoshta do të kënaqte gjithkënd do të ishte caktimi i një sheshi namazgjaje jo vetëm për nevojat e faljes, por edhe si rikthim i një tradite, rikthim i një “objekti pa mure”, i cili, pa iu ndryshuar destinacioni, u shërben besimtarëve për nevojat e tyre. Kështu, Tiranës së deformuar do t’i shtohej, vetvetiu, një hapësirë e pa ndërtuar, me shpresë jo në periferinë e sotme të saj. Nuk do të ishte e padrejtë që përgjegjësinë e përmbushjes së kësaj nevoje ta mbante shteti, nëse marrim parasysh se sa pak prej pronave të mëhershme u janë kthyer komuniteteve fetare në Shqipëri, pavarësisht deklaratave politike të qeveritarëve. Pas një paragrafi të tillë autori do të duhej, teorikisht, të propozonte një pikë në hartën e Tiranës për namazgjanë e ardhshme. Tundimi është i madh, por këtë gjë nuk do ta bëjmë, pasi këtë përgjigje mund ta japin vetëm komunitetet dhe institucionet e përfshira. I vetmi propozim që ka vend të artikulohet është planifikimi i një apo disa hapësirave polivalente që funksionojnë si hapësira publike të blerta gjatë vitit dhe si namazgja gjatë ditëve të caktuara. Për pothuaj tri dekada kështu pati funksionuar edhe namazgjaje e Tiranës, para ndërtimit të xhaminë në të. Shembulli ekziston.

Ka edhe dy arsye të tjera për të propozuar një shesh të posaçëm për namazet e festave të mëdha. Në vitin 2022 Spring Festival njoftoi shtyrjen e çeljes së tij, pasi pengonte faljen e Fitr Bajramit që atë vit ra më 2 maj. Faqja zyrtare e festivalit në Instagram njoftoi se motivi i shtyrjes ishte Fitr Bajrami, kurse autoritetet e pushtetit lokal sollën një tjetër arsye zyrtare. Precedenti, ama, u krijua dhe i vit ishte rast për të menduar se falja në shesh ka përparësi ndaj panaireve dhe mejhaneve. Parë nga ky këndvështrim, rasti i vitit 2022 nuk ishte rrjedhë e natyrshme e rendit të ngjarjeve, por zbatim i një hierarkie, ku nevojat fetare dëftyen se qëndruan më lart në rendin hierarkik të ngjarjeve. Të paktën një herë.

cunga3cunga3
Posteri i FIP Platinum Albania, 26-30 maj 2026.

Teksa shkruajmë këto radhë, mësojmë nga njoftimet në rrjetet sociale se në datat 26-30 maj 2026 në sheshin “Skënderbej” do të zhvillohet turneu i padelit FIP Platinum Albania. Me sa duket, këtë vit falja nuk do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”. Me sa duket, besimtarët myslimanë, të paktën në Tiranë, do të vazhdojnë të enden në rrugë e sheshe, sipas kalendarit qeveritar e kryeqeveritar. Ndoshta është rasti për të thënë se myslimanët e Tiranës meritojnë më shumë se iftare dhe libra shkruar rreth tyre.

Bashkëjetesë fetare në një shtet sekular nuk është veprimi hierarkik që buron prej tolerancës, por përpjekja dhe aftësia e njëmendtë për të kuptuar tjetrin, edhe kur nuk ndjen të njëjtën gjë si ai. Po ashtu, në një proces dialogu, realiteti duhet parë nga të gjitha këndvështrimet, përndryshe dialogu nuk mund të ndodhë. Aftësia e qytetit për t’u rezistuar kohëve dhe ndeshtrashave të historisë nuk ka qenë bazuar gjithmonë në aftësitë ushtarake të qyteteve historike mesjetare, as në fuqinë ekonomike të tyre, por në harmoninë dhe bashkekzistencën e të ndryshmeve brenda së përbashkëtës. Gjithmonë, bazuar në mirëkuptim dhe arsye. A mundemi dhe, më e rëndësishmja, a duam, qytetarë e pushtetarë bashkë?