Sun, Nov 23, 2025

Luiza Gega kampione Ballkani për të dytën ditë radhazi! Këtë herë në garën 5000 metra

Luiza Gega kampione Ballkani për të dytën ditë radhazi! Këtë herë në garën 5000 metra
  • PublishedMay 26, 2024

Në ditën e dytë të kampionatit të 77-të ballkanik të atletikës që po mbahet në datat 25-26 maj në Izmir të Turqisë, atletja e mirënjohur shqiptare Luiza Gega, pasi u shpall kampione Ballkani ditën e parë në garën 3000m me pengesa me kohën 9’26.40, sot, në ditë e dytë, fitoi një tjetër medalje ari në garën e 5000m.

Duhet theksuar se nëse në garën e djeshme Luiza përfundoi 20 sekonda më shpejt se vendi i dytë, gara e sotme pati një finish të fortë. Konkurrentja direkte e Gegës ishte Yasemin Can, një keniane e natyralizuar turke, kampione në fuqi e Europës për 10000m. Gara ishte shumë taktike dhe kampionia jonë e bëri diferencën në 400m e fundit, duke e mbyllur garën e 5000m me kohën 15’38.52. Kujtojmë që Luiza Gega është e vetmja atlete shqiptare pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të Parisit si e kualifikuar. Por përpara Olimpiadës, Gega do të marrë pjesë në kampionatin europian të Romës në qershor, ku do të tentojë të ruajë titullin kampione e Europës në 3000m me pengesa.

Lajmi i dytë i mirë vjen nga atleti shqiptar David Nikolli, i cili e mbylli garën e 3000m me kohën 8’07.37, duke u renditur i dyti pas atletit austriak Sebastian Frey.

Në këtë kampionat ballkanik, që ballkanik vetëm emrin ka, sepse pjesëmarrja e ekipeve shkon në 21, duke tejkaluar ndjeshëm rajonin dhe duke përfshirë edhe shtete të tjera si Austria, Izraeli, Qipro, Gjeorgjia, etj., ekipi shqiptar u përfaqësua me 8 atletë, 2 trajnerë, 1 fizioterapist dhe presidentin e federatës shqiptare të atletikës.


AlbaniaWeb.net