Sun, Nov 9, 2025

Premier League/ Sunderland “frenon” Arsenal-in, Chelsea mund Wolves e ngjitet në vendin e dytë

  • PublishedNovember 9, 2025

Sunderland vazhdon të surprizojë në Premier League. Ekipi i drejtuar nga Regis Le Bris ndali Arsenalin në një barazim emocionues 2-2, duke i hequr “Topçinjve” mundësinë për të thelluar diferencën në krye. Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 36-të me Daniel Ballard, por Arsenal reagoi në pjesën e dytë. Bukayo Saka barazoi në minutën e 54-të, ndërsa Leandro Trossard përmbysi rezultatin me një gol spektakolar në minutën e 73-të. Megjithatë, në minutat shtesë, Brian Brobbey riktheu entuziazmin në “Stadium of Light”, duke barazuar shifrat në 2-2. Pas këtij rezultati, Arsenal mbetet në krye me 26 pikë, ndërsa Sunderland ngjitet në vendin e tretë me 19 pikë, duke konfirmuar sezonin e jashtëzakonshëm që po kalon.

Në “Stamford Bridge”, Chelsea arriti një fitore të pastër 3-0 ndaj Wolves, në një ndeshje që u zhbllokua vetëm në pjesën e dytë. Malo Gusto hapi serinë e golave me kokë, më pas Joao Pedro dyfishoi pas një aksioni të shpejtë, dhe Pedro Neto vulosi rezultatin me golin e tretë. Garnacho ishte protagonist me dy asiste, ndërsa kjo fitore ngjit “Blutë” në vendin e dytë me 20 pikë. Nga ana tjetër, Wolves mbetet në fund të tabelës me vetëm 2 pikë.

Spektakël dhe barazim dramatik  në “Tottenham Hotspur Stadium”, ku ndeshja mes Tottenham dhe Manchester United përfundoi 2-2. United kaloi në avantazh me Bryan Mbeumo, por vendasit përmbysën gjithçka me golat e Mathys Tel dhe Richarlison. Kur dukej se Spurs po siguronte fitoren, De Ligt barazoi në minutën e gjashtë shtesë, duke i dhënë “Djajve të Kuq” një pikë të vlefshme. Mbeumo vazhdon formën fantastike, me 4 gola në 4 ndeshjet e fundit, ndërsa United mbetet i prekur nga dëmtimet, me Harry Maguire dhe Sesko që u larguan të lënduar.