Thu, May 14, 2026

BE-ja dhe Suedia mbështesin sipërmarrjen dhe inovacionin në Shqipëri përmes EU4Innovation

BE-ja dhe Suedia mbështesin sipërmarrjen dhe inovacionin në Shqipëri përmes EU4Innovation
  • PublishedNovember 11, 2025

Bashkimi Evropian, së bashku me Gjermaninë dhe Suedinë, po bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare për të nxitur innovacionin dhe sipërmarrjen përmes programit EU4Innovation, një nismë që synon transformimin e Shqipërisë drejt një ekonomie të bazuar në dije dhe teknologji.

Ambasadori suedez Niklas Ström dhe Shefja e Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së, Ritva Heikkinen, vizituan bizneset e reja të ngritura nga fermerët e rinj në kuadër të programit, duke vlerësuar ndikimin e dukshëm të fondit të BE-së në zhvillimin lokal dhe krijimin e vendeve të reja pune.

Niklas Ström u shpreh se “Startup-et e mbështetura nga Challenge Fund në Divjakë, Dimal dhe Berat në fushën agro dhe të shërbimeve tregojnë se kanë pasur një impakt dhe zhvillim falë kësaj mbështetje. Suksesi i këtyre bizneseve tregon fuqinë e inovacionit dhe mbështetjen e qëndrueshme për komunitetet lokale”.

Ndërsa Ritva Heikkinen deklaroi se “Është kënaqësi të shohësh idetë e sipërmarrësve të shndërrohen në biznese të lulëzuara dhe mundësi të reja për të rinjtë. Inovacioni është çelësi për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare. Përmes këtij programi forcojmë ekosistemin e inovacionit, ofrojmë financime të ndryshme për bizneset dhe inkurajojmë bashkëpunimin midis universiteteve, bizneseve dhe qeverisë”.

“Shqipëria është plot me sipërmarrës dhe ka një frymë të vërtetë sipërmarrëse. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë inovatorët e Shqipërisë. Ne duhet të bashkojmë forcat për të ndërtuar një ekonomi inovacioni dhe rritjeje të qëndrueshme që sjell vende të reja pune dhe më të mira për qytetarët e Shqipërisë”, tha përfaqësuesja e Bashkimit Evropian Ritva Heikkinen.

Gjatë vizitës në kuadër të programit EU4Innovation, ambasadori Ström dhe përfaqësuesja e BE-së Heikkinen e vlerësuan pozitivisht punën e disa bizneseve të reja shqiptare që po sjellin modele inovative dhe të qëndrueshme zhvillimi.

 Programi EU4Innovation,i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), dhe i zbatuar nga GIZ Shqipëri dhe Ambasada Suedeze në Tiranë, ka një fond prej 10 milionë eurosh për startup-et dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.Duke ofruar financime të ndryshme, aisynon të krijojë një ekosistem të qëndrueshëm inovacioni dhe të pozicionojë Shqipërinë si një qendër rajonale për ide të reja, sipërmarrje dhe bashkëpunim ndërkombëtar në teknologji.

Challenge Fund, si një komponent kyç i programit, i zbatuar në bashkëpunim me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me një fond prej 1 milion euro, ka mbështetur 56 startup-e fituese nga 637 aplikime, nga 43 qytete dhe 22 sektorë të ndryshëm.