Fri, Feb 6, 2026

Gjimshiti i nxori nga Kupa, Spallatti pranon disfatën: U treguan më të zotë (VIDEO)

Gjimshiti i nxori nga Kupa, Spallatti pranon disfatën: U treguan më të zotë (VIDEO)
  • PublishedFebruary 6, 2026

Berat Gjimshiti me shokë i dhurojnë një leksion të pastër futbolli Juves, triumfojnë pastër 3-0 duke nxjerr “Zonjën e Vjetër” nga Kupa e Italisë. Ekipi i Spallettit bie pikërisht në momentin e tyre më të mirë, me Atalantë që “fluturon” në gjysmëfinale aty ku do të përballen me fituesin e çiftit Lazio-Bologna.

Juve krijoi iluzionin se do të vijonte ecurinë e tyre pozitive pasi ishin superior në start, madje flirtuan edhe me golin ku goditja e Conceicao-s u përplas në traversë. Në minutën e 25-të erdhi dhe episodi që ndryshoi totalisht rrjedhën e këtij takimi. Bremer preku topin me dorë brenda në zonë, me gjyqtarin e takimit që akordoi penallti në favor të Atalantës pasi rishikoi pamjet me VAR. Nga pika e bardhë, Scamacca u tregua i saktë duke kaluar bergamaskët në avantazh.

Perfekt në leximin e lojës ishte edhe trajneri Palladino pasi në fraksionin e dytë aktivizoi Sulemana-n dhe Pasalic. Dy minuta lojë i mjaftuan Sulemana-s për të realizuar, me sulmuesin nga Gana që konvertoi në gol asistin e Bellanova-s. Për të vulosur suksesin e Atalantës mendoi Pasalic, me mesfushorin kroat që me një goditje të saktë brenda në zonë sigloi shifrat në 3-0. Një ndeshje thuajse perfekte zhvilloi edhe kapiteni kuqezi Berat Gjimshiti, i vlerësuar nga mediat me notën 7,3.

Pranoi verdiktin që dha fusha trajneri Spalletti: “Ata u treguan më të zotë në momentet përcaktuese të ndeshjes. Ne na munguan zgjedhjet kyçe. Kemi disa vështirësi, por jemi një skuadër. Duhet të pranosh realitetin”, u shpreh Spalletti.