Beyoncé në telashe me ligjin për një video “spektakolare” në turneun “Cowboy Carter”
Problemet ligjore kanë trokitur në derën e Beyoncé-s gjatë turneut të saj “Cowboy Carter”, dhe arsyeja? Një video mbresëlënëse e shfaqur gjatë koncertit në Los Angeles, ku këngëtarja paraqitet duke “marrë nën kontroll” godinën gjigante të Sphere në Las Vegas.
Por kjo skenë, sa kreative aq edhe polemike, nuk i ka pëlqyer aspak kompanisë që e zotëron këtë strukturë futuristike. Sipas Page Six, avokatët e ‘Sphere Entertainment Group’, në pronësi të James Dolan (i njëjti që zotëron Madison Square Garden), i kanë dërguar këngëtares një letër zyrtare, duke e akuzuar për përdorim të paautorizuar të imazheve dhe për shkelje të pronësisë intelektuale.
Letra i kërkon Beyoncé-s dhe ekipit të saj, Parkwood Entertainment, që t’i heqin menjëherë pamjet nga koncertet dhe çdo material promovues që është në qarkullim. Madje është caktuar edhe një afat: deri të hënën. Në të kundërt, kompania ka paralajmëruar masa të rënda ligjore.
Ndërkohë, turneu i Bey vazhdon në metropolet si Çikago, Hjuston, New York e deri në Londër – për t’u mbyllur ironikisht në Las Vegas, aty ku nisi polemika. A do të ndryshojë diçka në setlist deri atëherë? Mbetet për t’u parë.