Sun, May 4, 2025

Lady Gaga mbledh mbi 2 milionë fansa në një koncert falas në këtë vend

  • PublishedMay 4, 2025

Lady Gaga mbledh mbi 2 milionë fansa në një koncert falas në këtë vend

Një spektakël i vërtetë ndodhi këtë fundjavë në plazhin ikonik të Copacabana-s në Rio de Janeiro, ku Lady Gaga riktheu magjinë në skenë për herë të parë në Brazil që prej vitit 2012. Më shumë se 2.1 milionë njerëz u mblodhën për të ndjekur koncertin gjigant falas, organizuar nga autoritetet lokale, në kuadër të turneut botëror të këngëtares për albumin e saj të ri, “Mayhem”.

Qindra mijëra fansa nisën të grumbulloheshin që në orët e para të mëngjesit për të zënë një vend sa më pranë skenës, ndërsa shumë prej tyre ishin veshur me kostume që rikrijonin pamjet ikonike të saj nga hitet si “Poker Face”, “Born This Way” dhe “Bad Romance”.

Atmosfera ishte elektrizuese. “Më duket se ky koncert ka mbledhur më shumë njerëz sesa ai i Madonnës vitin e kaluar,” tha Lucas, një kineast brazilian për CNN. “Qyteti është i mbushur dhe energjia është fantastike.”

Lady Gaga i befasoi fansat edhe një ditë para koncertit, kur doli papritur në skenë për provën gjenerale, duke performuar “Alejandro” dhe duke u shprehur: “Më keni munguar shumë. Edhe pse është vetëm një provë, ndihet si një shfaqje e vërtetë.”

Kjo ndalesë në Brazil është pjesë e një turi global për promovimin e albumit “Mayhem”, pas dy netëve magjike në Mexico City. Koncerti në Rio u shoqërua me fishekzjarre spektakolarë dhe një jehonë që, sipas fansave, do të kujtohet gjatë.