Anglia me “silenciator” ndaj Andorrës, Tuchel “shpërthen” pas ndeshjes: Na mungoi agresiviteti
Me 9 pikë të plota në 3 ndeshje, Anglia është perfekte në këtë fazë kualifikuesesh, “mbretëron” e qetë në krye të Grupit K, por suksesi i fundit 0-1 përballë Andorrës i lë një shije jo të mirë trajnerit Tuchel, por mbi të gjitha ambientit në ishull. Është e vërtetë që Anglia kishte 83% kontrollin e topit, goditën 10 herë kuadratin, por këto statistika tregojnë qartë që as Tuchel nuk ka gjetur ende recetën e duhur për një Angli efikase përpara portës.
Për të zgjidhur problemet e “Tre Luanëve” mendoi i përhershmi Harry Kane, me kapitenin që gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 50-të, gol që në fund rezultoi një trekësh.
Pavarësisht suksesit 0-1, Tuchel jo vetëm që nuk feston, por nuk i kurseu kritikat: “Na mungoi grinta në fundin e ndeshjes, gjë që nuk më pëlqeu aspak. Nuk e di pse e humbëm shpejtësinë dhe qartësinë në gjysmë orën e fundit. U befasova në fakt pasi e nisëm mirë, por më pas na mungoi cilësia në finalizim. E sigurt është se mund të bëjmë shumë herë më mirë, përfshi këtu edhe mua”, u shpreh Tuchel pas ndeshjes.
Pas xhiros së tretë, Anglia blindon vendin e parë me 9 pikë, e ndjekur nga Shqipëria me 4 pikë, Letonia 3 dhe Serbia 1.
()